Mes vapës së korrikut, pak ditë më parë u prezantuan ndryshimet në Kodin e ri Penal që Ministria e Drejtësisë hodhi për konsultim publik. Prezantimi i draftit solli reagime të shpejta dhe të shumta.
Pika që deri tani ka ngjallur debatin kryesor lidhet me klauzolën e këtij drafti që është lirimi para kohe me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm.
Drejtori i shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi tha njerëzit ndryshojnë gjatë kohës së qëndrimit në burg, teksa shtoi se një gjë e tillë aplikohet edhe në shtete të tjera perëndimore.
Por cilat janë risitë e tjera të draftit të Kodit të ri Penal që tashmë është shtruar për diskutim? “5Pyetjet.al” ka siguruar draftin e plotë me ndryshimet që janë bërë.
Kliko KETU për të lexuar draftin final- Kodi i ri Penal 24.07.2025
DRAFTI – ÇFARË PARASHIKON
Drejtësia restauruese:
Dispozita të posaçme për riparimin e dëmit të shkaktuar viktimës.
Ridimensionim tërësor i sistemit të dënimit penal, duke vendosur kritere objektive për caktimin e dënimit nga gjykata, duke shmangur arbitraritetin dhe zbatimin preferencial të ligjit penal.
Shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese.
Përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës.
Kriminalizimi i veprave të reja:
Terrorizmi kibernetik, trafikimi i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit etj.
Trafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe ndërhyrja në numërtimin e tyre.
Veprat penale në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit.
Ofrimi i ushqimit të pasigurt, mashtrimi me produktet ushqimore, paraqitja e rremë e produktit ushqimor.
Punësimi i paligjshëm i shtetasve të huaj apo pa shtetësi.
Falsifikimi i mjeteve të pagesës cash dhe jo cash, mjeteve matëse, numrave të mjeteve motorike.
Pengimi i drejtësisë, keqdrejtimi i organeve të procedurës për autorin e krimit, ndikimi me dhunë në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, përdorimi i dhunës gjatë hetimeve, ndikimi në pavarësinë e gjykatës, konflikti i interesit të avokatit dhe mosparaqitja në seancë, dhënia e një vendimi në keqbesim.
Vrasja me pëlqimin e viktimës, shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizmit, porosia për të kryer vrasje.
Dekriminalizimi:
Heqja e disa veprave të vjetruara nga lista e veprave penale.
Përkufizime të reja:
Përcaktim dhe përkufizim i nocioneve që i kanë munguar legjislacionit shqiptar ndër vite, duke reduktuar boshllëqet dhe paqartësinë që mund të haset në praktikë.
Njehsimi i terminologjisë së Kodit.
Saktësimi i nocioneve juridike, duke krijuar kushtet për zbatim korrekt dhe uniform të ligjit penal, si lidhja shkakësore, mosveprimi, tentativa, mbrojtja e nevojshme.
Përputhshmëria me Acquis të BE-së:
Përafrimi me aktet e Bashkimit Evropian që përcaktojnë kriminalizimin e sjelljeve, veprimeve ose mosveprimeve të caktuara, në mënyrë që Kodi i ri Penal të jetë pjesë integrale e procesit të aderimit të Shqipërisë në BE.
Parashikimi i instituteve të reja që kodi në fuqi nuk i parashikon, si dhe korrektimi i instituteve aktuale që kanë shfaqur probleme gjatë zbatimit, si:
Formimi i përgjegjësisë penale si faji dhe lidhja shkakësore me mosveprim, gabimi në fakt, gabimi në ligj, konkurrimi i veprave penale.
Tentativa: përcaktimi i kufijve të zbatimit të këtij instituti si dhe mekanizmi për zbutjen e dënimit.
Përcaktimi i formave shtesë të bashkëpunëtorëve dhe mekanizmi i dënimit për bashkëpunëtorët sipas rolit që kanë në kryerjen e veprës penale.
Dënimet penale (shtimi i dënimeve plotësuese dhe masave plotësuese) dhe përcaktimi i mekanizmit për caktimin e dënimit, si dhe ndikimi i rrethanave lehtësuese dhe rënduese në masën e dënimit.
Rregullimi i ndikimit të institutit të kryerjes së veprës penale më shumë se një herë dhe recidivizmit në caktimin e masës së dënimit penal.
Rregullimi i përgjegjësisë penale dhe dënimet për personat juridikë në Kod.
Shtimi dhe saktësimi i listës së rrethanave që përjashtojnë nga përgjegjësia penale autorin e një fakti penal.
Për herë të parë është parashikuar instituti i lajthimit (gabimit) në faktin që përbën vepër penale, si dhe listimi i pasojave të tjera që burojnë nga kryerja e veprës penale.
Masat edukative për të miturit
Rikonceptim i trajtimit të të miturve;
Sigurojnë/garantojnë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit;
Llojet: këshillimi; mbikëqyrja e veçantë nga prindi, prindi birësues ose kujdestari, mbikëqyrja në përkujdesje alternative dhe vendosja në një institucion të përkujdesjes edukativo–korrigjuese;
Në caktimin e tyre merren parasysh një sërë faktorësh dhe Masa më e rëndë edukuese – aplikohet si alternativë e fundit;
Një rol qëndror i jepet Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, strukturave përkatëse të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor apo çdo organi tjetër kompetent;
Së bashku me masat gjykata mund të cakton një/disa detyrime të veçanta ndaj të miturit, kur kjo është e domosdoshme për arritjen e qëllimit të masës, si kërkimi i faljes, dëmshpërblimi, ndjekja e rregullt e procesit arsimor, të mos frekuentojë vende të caktuara, të mos kontaktojë persona të caktura etj.
Personat juridike
Adresohet në mënyrë të përshtatshme përgjegjësia penale dhe mënyra e dënimit të personave juridikë;
Në përputhje me nevojën për të luftuar kriminalitetin e këtyre subjekteve
Në përputhje me modelin që ofron praktika evropiane.
Përcaktimi i saktë i zbatimit të ligjit penal mbi këto entitete dhe kriteret konkrete të përcaktuara në projekt krijojnë mundësi reale që organet proceduese ta godasin në mënyrë efektive krimin e organizuar.