Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka paralajmëruar se Rusia po përgatitet për të ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator, me synimin për të fituar ndikim politik në vend.
Sipas saj, Kremlini po mbështet projekte politike të oligarkut në arrati Ilan Shor, i cili është përfshirë në skandale korruptive dhe synon të sigurojë praninë e mbështetësve të tij në parlament.
Sandu theksoi se Rusia planifikon të përdorë ryshfetin, blerjen e votave, financime të paligjshme përmes kriptomonedhave, dhe organizimin e protestave të paguara për të destabilizuar vendin.
Po ashtu, ajo paralajmëroi rrezikun e sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturës së Moldavisë.
Presidentja u bëri thirrje qytetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të mbrojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe sovranitetin e shtetit.