Kryetari i PD-së, Sali Berisha nga dera e Parlamentit kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama. Tha se do të votojnë për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut, por sipas tij kjo nuk është zgjidhja.
“Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si zgjidhjen e vetme të kësaj gjendje dhe të kësaj situate dramatike që po jeton vendi. Në një kohë kur Edi Rama, njeriu më i poshtëruar në detyrë sot në të gjithë hapësirën e BE-së dhe më gjerë. Nuk ka sot një kryeministër të poshtëruar para botës dhe popullit të tij si Edi Rama.
Ai po përdor ligjet, po shkelmon Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjen e tij. Për interesa të tij, hajdutërisë së tij dhe pasurive të tij po mbyll dyert e BE-së për Shqipërinë. Aty ku miraton ligjet në parlament, aty ku bën ligje që Linda e tij të jetë firs lady e Shqipërisë, zonja Begaj ia menderos ligjin.
Rama përjeton periudhën e poshtërimit maksimal të një kryeministri. Ne jemi sot këtu për të shprehur mendimin e shqiptarëve. Do të votojmë në unison për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Lubi Ballukut.
Por këto nuk janë zgjidhja e krizës, por largimi i njeriut më të poshtëruar sot. Në darkat e tij të neveritshme shkon dhe u përkulet, u bie në gjunjë si legen për të kërkuar që të ndryshojë mendimi. Ky pra është Edi Rama dhe ta dinë shqiptarët” tha ai.









