Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i ka kërkuar kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, të nisë procedurat për kallëzim penal në prokurori ndaj anëtarëve të grupeve të numërimit të partive politike në qarqet ku u krye rinumërimi i votave.
KAS thotë se gjatë procesit janë konstatuar mospërputhje të theksuara midis tabelave të rezultateve të miratuara nga Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe gjendjes reale të fletëve të votimit.
“Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona zgjedhore provoi në disa raste mospërputhje të theksuara midis tabelave te rezultatit të grupeve të numërimit nga KZAZ-të respektive dhe gjendjes faktike të fletëve te votimit në kuti gjatë procesit të rinumërimit në procedurën ankimore në KAS. Këto mospërputhje duhet të hetohen në një proces te mëtejshëm administrativ nga ana Juaj për te identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave. Hetimi i mëtejshëm administrativ për rastet e sipërcituara është i një rëndësie të veçantë, sepse referuar rezultateve të nxjerra nga rinumërimi në procedurën ankimore në KAS, rezulton që, në një numër tabelash të rezultateve të numërimit dhe vlerësimit të votave, mospërputhjet e rezultateve të miratuara nga GNV-të, me ato që rezultojnë në fletët e votimit, janë të tilla që prima facie tregojnë se nga anëtarët e GNV-ve për raste të posaçme ka tjetërsim të rezultatit të votave”, thuhet në kërkesën e KAS.