Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, priti sot në Stamboll Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, dhe Kryeministrin e Libisë, Abdulhamid Dbeiba, në një takim trepalësh që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Sipas deklaratave zyrtare, fokusi kryesor i bisedimeve ishte menaxhimi i flukseve migratore nga Afrika drejt Europës dhe shfrytëzimi i burimeve energjetike në Mesdheun Lindor. Të tre liderët theksuan rëndësinë e një qasjeje të koordinuar për të adresuar krizën humanitare dhe sfidat e sigurisë që lidhen me migracionin e parregullt.
Kryeministrja italiane nënvizoi nevojën për të mbështetur qeverinë libiane me mjete praktike dhe eksperiencë, ndërsa Erdoğan theksoi rolin e Turqisë si urë lidhëse për stabilitetin mesdhetar. Ndërkohë, Dbeiba kërkoi më shumë mbështetje për të kontrolluar kufijtë libianë dhe për të forcuar institucionet shtetërore.
Takimi u mbyll me dakordësinë për të vijuar takime periodike dhe për të ngritur një platformë të përbashkët teknike për çështjet energjetike dhe migratore.









