Një valë të nxehti e paprecedentë ka përfshirë vendet nordike. Temperaturat përvëluese, të forcuara dhe të zgjatura nga ndotja me karbon, kanë prekur nivele të pazakonta për veriun e Europës.
Në Finlandë, temperaturat kanë kapur shifrën e 30°C për tre javë rresht, ndërkohë që një stacion meteorologjik në Arktikun norvegjez ka regjistruar temperatura mbi 30°C për 13 ditë gjatë muajit korrik. Shkencëtarët thonë se kjo periudhë e të nxehtit është 50% më e gjatë se rekordi i mëparshëm.
Edhe Suedia është përballur me kushte ekstreme. Në Haparanda, një stacion meteorologjik në veri të vendit, u regjistruan 14 ditë rresht me temperatura mbi 25°C, ndërsa në Jokkmokk, në Lapland, vala e të nxehtit zgjati 15 ditë.Ndërsa në Norvegji, sipas Institutit Meteorologjik, temperaturat mbi 30°C janë regjistruar në 12 ditë të ndryshme në korrik në tre qarqet më veriore të vendit.