Një përballje me shumë emra shqiptarë u zhvillua këtë fundjavë në elitën e futbollit suedez, ku Elfsborg triumfoi 2-1 ndaj Hakenit, në një ndeshje që spikati për kontributin e futbollistëve shqiptarë nga të dyja skuadrat.
Protagonist absolut ishte sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Arbër Zeneli, i cili hyri në lojë në minutën e 59-të dhe arriti të realizojë golin e fitores në minutën e 87-të me një goditje të bukur që i mohoi portierit Etrit Berisha mundësinë e shpëtimit.
Në këtë ndeshje, në fushë ishin gjithashtu edhe Besfort Zeneli për Elfsborgun dhe Etrit Berisha në portën e Hakenit, duke e kthyer sfidën në një “derbi” shqiptarësh në kampionatin suedez.
Me këtë fitore, Elfsborg ngjitet në vendin e tretë të renditjes me 35 pikë, duke forcuar pozitat në garën për titull. Në anën tjetër, Hakeni mbetet në vendin e 10-të me 22 pikë, duke kërkuar kthesën në javët e ardhshme të kampionatit.
/5pyetjet.al