Administratori i Atalantës, Luka Perkasi, ka reaguar sot në lidhje me kërkesën e Ademola Lukman për t’u larguar drejt Interit.
Sulmuesi nigerian akuzoi klubin se nuk ka respektuar premtimin për ta lejuar të largohej nëse do të vinte një ofertë e përshtatshme.
Perkasi sqaroi se Atalanta vitin e kaluar kishte refuzuar një ofertë prej 20 milionë euro nga PSG, por i kishte premtuar lojtarit një transferim të mundshëm këtë verë, me kusht që destinacioni të ishte një klub i madh europian dhe jo një ekip tjetër në Serie A.
“Sot situata ka ndryshuar dhe vendimet i merr klubi,” u shpreh Perkasi, duke theksuar se Atalanta mbetet e hapur për oferta, por pa cënuar interesat dhe parimet e saj.