Një tjetër rrjet trafiku droge me në qendër shqiptarë është goditur nga policia italiane, këtë herë në zonën e Piacenzas.
Tre shqiptarë, të moshave 37, 38 dhe 39 vjeç, janë arrestuar pasi dyshohet se drejtonin një laborator kokaine në një banesë fshati në Pontenure.
Banesa përdorej për përzierjen dhe paketimin e kokainës me qëllim shpërndarjeje në treg.
Gjatë kontrollit, policia gjeti rreth dy kilogramë kokainë të pastër, pajisje për përpunim, peshore precize, detergjentë për përzierje dhe një shumë prej 4000 eurosh cash.








