Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas mbylljes së hetimeve ndaj tij nga SPAK, duke e cilësuar procesin si një fabrikim politik që ka nisur që në dhjetor të vitit 2019.
Meta shkruan se në takimin e fundit me prokurorët, më 27 maj, nuk pati asnjë zhvillim të ri.
Ai thekson se kishte kërkuar me forcë që të hetohej se kush kishte kryer pagesa të paligjshme në emër të LSI-së ndaj kompanive në SHBA, si dhe se kujt i janë dërguar faturat për miratim nga kompania amerikane GSIS në Partinë e Lirisë.
Sipas Metës, mos-hetimi i këtyre dy çështjeve është pasojë e një diktati politik dhe jo e pamundësisë ligjore apo profesionale për të vepruar.
“Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019.
Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut.
Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS.
Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh”, shkruan Meta.