Ish-hetuesja e Gjykatës së Hagës, Nevenka Tromp mori pjesë në protestën e veteranëve kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gjatë fjalës së saj, Tromp tha se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo nuk është vetëm një parullë – është realiteti i dhimbshëm që ju po përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet, ajo duhet të ketë legjitimitet. E dimë që drejtësia mund të jetë si subjektive ashtu edhe objektive, por në të dyja rastet ajo duhet të zbatohet përmes institucioneve të ligjshme, të qëndrueshme dhe të pavarura. Gjykatat, ligjet dhe profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive apo simbolike, rrezikon të perceptohet si padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë më për të zbuluar të vërtetën – por duken si gjykime të inskenuara”, tha ajo.
Tromp e konsideron veçanërisht të rrezikshme kur politikanët manipulojnë sistemet e drejtësisë për qëllime pragmatike politike, ose kur institucionet e drejtësisë ndihen të detyruara t’i shërbejnë narrativave politike.
“Kjo është veçanërisht e rrezikshme kur institucionet e drejtësisë ndihen të detyruar t’u shërbejnë narrtivave politike. Në vitin 2020 udhëheqësit tuaj të kohës së luftës shkuan vullnetarisht në Hagë duke besuar si ju që drejtësia do të zbatohej shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Ata u siguruan që ky proces do të ishte transparent dhe i paanshëm. Dhe megjithatë ja ku jemi, 5 vjet më vonë ata janë ende në paraburgim, dhe ende nuk ka një vendim gjyqësor. Besimi i tyre në një drejtësi të shpejtë është thyer nga realiteti i vonesave, dënimeve të ashpra dhe shkallës, dispropercionale të shpalljeve fajtor. Por, mos harroni: të njëjtët udhëheqës që tani janë të akuzuar dhe po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë ata që mbështetën krijimin e këtyre dhomave. Ata e bënë këtë duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun që përfaqësonte për çdo luftëtar që u ngrit në mbrojtje të lirisë së Kosovës gjatë luftës së viteve 1998–1999”, tha ajo.