Pasditen e sotme në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë po vijon protesta në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës” është motoja e protestës.
“Njerëzit që duhet të na udhëheqin ndodhen në burg. Sa më shpejt të lirohen çlirimtarët sepse ata kanë sakrifikuar çdo gjë për shqiptarët”, tha një qytetar nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020. Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon. Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë.