Mbrëmjen e së premtes, efektivi i policisë rrugore Klajdi Mustaj ishte dëshmitar i një aksidenti të tmerrshëm në Qafën e Koshovicës, ndërsa po kthehej nga Vlora në Fier.
Ai ndërhyri menjëherë dhe brenda pak sekondave nxori nga makina që po digjej katër persona, përfshirë një të mitur.
“Isha shumë i tronditur, por pata qetësi dhe arrita të shpëtoj ata,” tha polici 26-vjeçar, i cili u përfshi emocionalisht dhe lutet që fëmija i shpëtuar të shërohet sa më shpejt.
Veprimi heroik i Mustajt u filmua nga një qytetar dhe videoja u bë virale në rrjet.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, e vlerësoi me certifikatën për shërbime të dalluara për guximin dhe profesionalizmin e tij.
Klajdi Mustaj punon prej dy vitesh në Policinë e Shtetit dhe është student master në shkenca juridike.
Ai shprehet se çdo polic do të bënte të njëjtën gjë, pasi detyra e tyre është të jenë pranë qytetarëve në nevojë.