Kryeministri Edi Rama iu përgjigj një ndjekësi në një komunikim live në rrjetet sociale, i cili rikujtoi shembjen me tritol të një pallati në bregdetin e Vlorës në vitin 2014, i lidhur me familjarë të ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Ndjekësi shprehu skepticizëm për aksionin aktual ndaj ndërtimeve pa leje, duke thënë se “zgjat disa muaj dhe pastaj kryeministri do t’ia fusë gjumit”.
Në reagimin e tij, Rama e mohoi kategorikisht që shteti të ketë financuar ndonjëherë ndërtimin e asaj godine dhe tha se “te gjumi po ngatërron njeriun”.
Ai kujtoi se objekti në fjalë ishte një pallat i ndërtuar buzë detit dhe jo “një vilë” siç u përmend në koment. “Kur flitet për atë vilë në thonjëza, flitet edhe për para të dhëna nga shteti, por asnjëherë nuk janë dhënë nga shteti për ndërtuesit e asaj vile dhe jo sa të jem unë”, theksoi Rama.









