Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit ka evidentuar 50 vatra zjarri, ku 19 janë ende aktive.
Situata më problematike paraqitet në qarqet Vlorë, Berat, Tiranë dhe Gjirokastër, ku zjarret rrezikojnë banesa, zona të mbrojtura dhe infrastrukturë kritike. Në terren janë angazhuar 1080 forca operacionale dhe 82 mjete zjarrfikëse.
Operacionet janë mbështetur nga 9 mjete ajrore ndërkombëtare, përfshirë helikopterë dhe avionë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Kroacia, Greqia, Çekia dhe Sllovakia.Sipas IGJEO-s, i gjithë territori i vendit përballet me rrezik të lartë dhe shumë të lartë për zjarre në pyje, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 41°C në zonat e ulëta.
Ndërkohë autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe njoftim të menjëhershëm për çdo vatër zjarri të re.
Zonat më të prekura:
Vlorë – Zjarri pranë Parkut të Syrit të Kaltër mbetet aktiv, me mbi 90 forca dhe mbështetje nga ajri me helikopterë dhe avionë nga Shqipëria, Greqia, Çekia dhe Sllovakia.
Berat – Në Poliçan janë evakuuar banorë për shkak të afrimit të flakëve pranë qytetit. Situata mbetet kritike edhe në Rehovë.
Tiranë – Vatra të shumta në Ibë, Damjan-Isufaj (Vaqarr), Ferraj, Zall-Herr dhe Selitë. Rrezikohen banesa dhe terreni i vështirë pengon ndërhyrjen.
Gjirokastër – Zjarri në Tepelenë shkaktoi dëme në stalla dhe vijon të jetë aktiv.
Dibër, Elbasan, Kukës, Shkodër, Korçë – Vatra të shpërndara, pjesërisht të izoluara, por të vështira për t’u shuar për shkak të terrenit malor.