Situatë problematike po paraqitet në qytetin e Patrës në Greqi. Zjarret që kanë shpërthyer të martën detyruan evakuimin e banorëve të të paktën 25 vendbanimeve.
Në doganën e Patrës janë djegur mbi 550 automjete të konfiskuara. Ndërkohë mbi 5000 zjarrfikës në të gjithë vendin si dhe vullnetarë e banorë, vazhdojnë të luftojnë në frontet e zjarrit.
“Situata mbetet e vështirë. Dhe për nesër, të enjten, parashikohet një rrezik shumë i lartë zjarri në shumicën e zonave të vendit. Jemi në zemër të sezonit të zjarreve.Çdo zjarr i ri që shpërthen shpejt merr përmasa të rrezikshme“, thotë Vasilis Vathrakogiannis, zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës.
Ministria e Mbrojtjes Civile ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për Prevezën dhe ishullin e Zakinthos. Sipas Shërbimit zjarrfikës, në gjithë vendin janë përballuar sot 109 zjarre, 48 prej të cilave shpërthyen vetëm orët e fundit.