Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një konferencë për mediat u ndal tek zjarret që kanë përfshirë Shqipërinë.
Blushi ka propozuar 3 nisma urgjente për zjarret. Sipas tij duhet të shpallet Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, të mblidhet Këshilli i Sigurisë, t’i adresohemi Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane.
“Së pari, Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri shpalljen e menjëhershme dhe pa vonesa të Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në të gjitha zonat e dëmtuara nga zjarri, si një masë e domosdoshme ligjore që të paktën do të garantonte përfitimin e plotë të dëmshpërblimeve për të gjithë qytetarët e dëmtuar në prona nga zjarri.
Së dyti, i bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të miratuar një strategji të bashkëveprimit dhe koordinimit më të ngushtë të të gjitha insitucioneve për përballimin e situatës shumë të rëndë, në mënyrë që të sigurohen të gjitha burimet e brendshme dhe mbështetja e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të shkaktuara nga zjarret.
Së treti, vlerësojmë nevojën për t’ju drejtuar sa më parë për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane, duke patur parasysh se prioriteti absolut duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe e pasurive publike dhe private.
Situata është jashtë kontrollit dhe rrezikon jetë njerëzish, prona private, trashëgimi natyrore dhe stabilitetin social. Shqipëria nuk po digjet nga zjarri por nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria në ekstrem e shtetit që ka braktisur qytetarët e vet.
Çdo orë vonesë tjetër në këtë drejtim është përgjegjësi penale shumë e rëndë e shtuar për Qeverinë”, shprehet Blushi.