Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që ish presidentit Hashim Thaçit t’i ndalohen vizitat me tre vëllezërit, Gani, Nazmi dhe Blerim Thaçi.
Sipas Klan Kosova, këta janë përfshirë në një listë me 14 emra që po synohen t’i ndalohen Thaçit.
“Edhe pse janë vendosur masa të caktuara për ta minimizuar rrezikun e pengimit, ZPS ka mësuar përmes burimeve publike se disa vizitorë që përbëjnë shqetësim, vazhdojnë ta vizitojnë Thaçin në Qendrën e Paraburgimit. Për të qenë të sigurt, rreziku që Thaçi të përcjellë mesazhe të palejuara dhe udhëzime gjatë vizitave jo të privilegjuara nuk mund të eliminohet kurrë krejtësisht, as në Qendrën e Paraburgimit. Kjo është vërtetuar përmes shfaqjes së Hashim Thaçit në një thirrje me video te një i akuzuar tjetër, në shkurt 2025”, thuhet në kërkesën e ZPS sipas Klan Kosova.
Në listë janë edhe Artan Behrami e Vllaznim Kryeziu që përmenden në aktakuzën e dytë të Hashim Thaçit për tentim-pengimi të drejtësisë.