Pas debaklit tonë kombëtar në RMV, sidomos pas 2001-shit, kur kapëm dhe armët për të drejtat tona legjitime njerëzore e kombëtare, në vend që nga perceptimi kolektiv të gjykohet dhe ndëshkohet politika denigruese, po krijohet rishtas një diskurs publik, me synimin e legjitimimit të të gjitha dështimeve politike tona në ruajtjen e identitetit dhe integritetit kombëtar dhe krijimim e imazhit të figurave të deskredituara politike në politikanë-profetë, të cilët po na shiten sikur paskan avancuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Është e çuditshme se pse askush nuk flet për mosekzistencën juridike të popullit shqiptar në RMV edhe pas vitit 2001 dhe pse po heshtim kaq shumë dhe kaq gjatë për një trajtim të këtillë juridik tonin, ku ne, në kundërshtim edhe me traktatet evropiane për të drejtat e njeriut, juridikisht jemi pakicë kombëtare. Pse gjithë kjo mospërfillje e vetvetes?! Pse gjithë kjo frikë për një të drejtë kaq legjitime?! Pse ky vazalitet kolektiv për politikanë, të cilët, në vend që të na ofronin parajsën, na treguan ferrin?!
Le t’i shtrojmë faktet një nga një dhe të bëjmë bilancin e gjendjes sonë kombëtare faktike në RMV:
-
Pas marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, e cila u shit si një fitore historike për të drejtat e shqiptarëve, realiteti në terren tregoi dhe po dëshmon edhe më bindshëm një pamje krejtësisht tjetër. Koncepti unitar dhe monoetnik i shtetit maqedonas jo vetëm që u ruajt, por u forcua në kurriz të shqiptarëve, të cilët, pavarësisht premtimeve për barazi, mbetën në margjina të sistemit.
Marrëveshja, e cila duhej të garantonte përfaqësim proporcional dhe respekt për identitetin kombëtar tonin, u shndërrua në një mjet për të legjitimuar status quo-në dhe për të ushqyer një elitë politike shqiptare, e cila u bë vegël e interesave partiake dhe klienteliste.
Merreni me mend, dokumenti origjinal i kësaj Marrëveshjeje ka humbur nga këmbët sytë dhe nuk gjendet më askund. -
Shqiptarët në RMV de jure mbeten të kategorizuar si kombësi (lexo: pakicë kombëtare) në kornizat juridike të shtetit, një status që bie ndesh me të drejtat fondamentale të njeriut dhe traktatet ndërkombëtare, si Karta Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pasur parasysh përfaqësimin numerik tonin më RMV. Ky status na mohon të drejtën përbërëse (konstitutive) në RMV dhe na vendos në një pozitë inferiore në raport me maqedonasit, të cilët vazhdojnë të jenë populli i vetëm shtetformues në RMV. Atëherë shtrohet pyetja: Për çfarë i rrokëm armët në vitin 2001 dhe për cilin ideal vdiqën ata djem e vajza në lulen e rinisë dhe shumë të tjerë në luftë e pas lufte?!
-
Marrëveshja e Ohrit premtoi përfaqësim proporcional në administratën shtetërore, por realiteti është një karikaturë e këtyre premtimeve. Punësimet e shqiptarëve në institucione shtetërore janë bërë në bazë të lidhjeve partiake dhe jo meritokracisë. Partitë politike shqiptare, në vend që të luftonin për një sistem të drejtë, i shndërruan institucionet në feude të tyre, ku punësohen militantët besnikë, ndërsa profesionistët dhe të rinjtë e kualifikuar mbeten jashtë. Ky klientelizëm ka krijuar një shtresë burokratësh të privilegjuar, të cilët i shërbejnë partisë dhe jo interesit kombëtar.
-
Korrupsioni është bërë gangrenë e shoqërisë në RMV, dhe shqiptarët nuk janë imunë ndaj tij. Elitat politike shqiptare, të cilat duhej të ishin zëri i popullit, janë zhytur në afera korruptive, duke favorizuar një grusht njerëzish të afërt me pushtetin. Tenderët, koncesionet dhe projektet publike shpesh u jepen “të fortëve” të partisë, ndërsa qytetarët e thjeshtë luftojnë për mbijetesë. Kjo ka krijuar një hendek të thellë mes elitave dhe masës, duke e dobësuar besimin në institucione dhe në vetë idenë e barazisë.
-
Njëra nga pasojat më tragjike të kësaj gjendjeje është ikja masive e të rinjve shqiptarë nga RMV. Të zhgënjyer nga mungesa e perspektivës, korrupsioni dhe diskriminimi, mijëra të rinj përzgjedhin emigracionin si rrugëdalje. Kjo ikje ka përkeqësuar edhe më tej krizën demografike, ku mortaliteti tashmë ka tejkaluar natalitetin në shumë zona shqiptare. Nëse ky trend vazhdon, ne shqiptarët në RMV rrezikojmë të tkurremi në një pakicë edhe më të parëndësishme në sytë e shtetit në të ardhmen e afërt.
-
Përballë këtyre dështimeve, është krijuar një diskurs publik që përpiqet të legjitimojë këto padrejtësi dhe të glorifikojë figurat politike të komprometuara si “shpëtimtarë” të kombit. Në vend që të mbajmë përgjegjëse partitë dhe liderët tanë, ne vazhdojmë të biem pre e propagandës dhe narrativave boshe për “përparime” të rreme. Kjo amulli kolektive na ka bërë të humbasim aftësinë për vetëkritikë dhe për të kërkuar llogari.
Atëherë shtrohet pyetja: Pse vazhdojmë të votojmë për të njëjtët njerëz për dekada me radhë, të cilët na çuan drejt denigrimit tonë kombëtar?! -
Vitet e fundit, diskursi publik ka marrë një kthesë edhe më cinike. Përballë dështimeve të dukshme, elitat politike shqiptare kanë intensifikuar përpjekjet për të manipuluar opinionin publik. Mediat, të cilat në masë të madhe janë të varura financiarisht nga partitë ose qarqe të caktuara, luajnë një rol qendror në këtë manipulim. Ato krijojnë një amulli kolektive duke heshtur për padrejtësitë juridike, korrupsionin dhe krizën demografike, ndërsa amplifikojnë arritjet e dyshimta të politikanëve. Rrjetet sociale, të cilat mund të ishin një hapësirë për debat të hapur, shpesh shndërrohen në fushëbeteja të propagandës, ku militantët partiakë dhe mediat e kontrolluara dominojnë diskursin.
-
Në kohë zgjedhjesh, duke e ditur mentalitetin e mërgatës sonë, e cila kurrë nuk hoqi dorë nga ndjenja për atdhe dhe komb, pavarësisht se ajo është tërësisht e vetëdijshme për surrogatët tanë politikë, po bëhet çmos që përmes tellallëve politikë dhe mediumeve të goditen emocionet e mërgatës, për t’u mbajtur me çdo kusht pushteti. Por, të mos harrojmë se 180.000 nga njerëzit tanë u kategorizuan si jo-rezidentë pikërisht nga këta politikanë, të cilët së shpejti (në mos në këto zgjedhje vendore) nuk do të mund ta gëzojnë më të drejtën e votimit. Më shumë se mërgata askush nuk i ka dhënë këtij kombi, por ajo është lënë gjithmonë në harresë, përpos ca parullave nëpër vendbanimet tona: “mirë se vini” dhe “udhembarë kurbetqarë” kur vijnë ata gjatë sezonit të verës. Mikpritja madje shkon aq larg, sa çmimet ngriten në hava nëpër restorante dhe kafene sidomos.
Edhe demografia e mërgatës po ndryshon në Perëndim, ndjenjat po zhbëhen, ëndrrat po shuhen ngadalë, gjeneratat e reja janë integruar mirë gjithandej dhe këto vende nuk janë të tyret më, por po kthehen në vendlindje dhe atdhe për ta. Ata nuk njohin mite, nuk priren për të glorifikuar profetët e rrejshëm dhe lojës së përfitimit politik në krah të mërgatës po i vjen fundi. -
Binomi pozitë-opozitë, sidomos akuzat e ndërsjella për korrupsion e antikombëtarizëm, nuk përbëjnë asnjë risi. Është një film që përsëritet në vazhdimësi në skenën tonë politike-shoqërore, me regji, aktorë dhe publik pothuajse të njëjtë. Qëllimi kryesor është kamuflimi i debaklit tonë politik, sidomos nga viti 2002 deri më sot dhe denigrimi i të drejtave tona kombëtare. Opozitë nuk ka, të gjitha strukturat e tanishme politike kanë një bazë dhe shërbejnë si alibi për mashtrimin e madh në dëm të çështjes sonë kombëtare. Kush mendon ndryshe, bën Bajram me mendjen, thotë populli.
-
Nëse nuk ndryshojmë kurs, perspektiva për shqiptarët në RMV do të mbetet e zymtë. Nevojitet një zgjim kolektiv, një lëvizje që tejkalon partitë dhe interesat e ngushta klienteliste. Duhet të kërkojmë një status të ri juridik që njeh shqiptarët si popull përbërës (konstituitiv), të luftojmë për meritokraci dhe transparencë në institucione, dhe të investojmë në të rinjtë tanë për të ndalur hemorragjinë demografike. Vetëm një shoqëri që vlerëson dinjitetin dhe identitetin e saj mund të dalë nga kjo amulli dhe të ndërtojë një të ardhme të denjë. Populli thotë: “Vathë me derra nuk bëhet”.