Fraza “garanci sigurie” është dëgjuar gjithnjë e më shumë në muajt e fundit në Evropë, ndërsa vazhdojnë diskutimet dhe negociatat për një armëpushim në Ukrainë. Por çfarë do të thotë kjo?
Me anëtarësimin e Ukrainës në NATO që është jashtë diskutimit në të ardhmen e parashikueshme, garancitë e sigurisë janë bërë fokusi i përpjekjeve diplomatike për një armëpushim.
Kievi pretendon se pa ta, asgjë nuk do ta ndalonte Rusinë të sulmonte përsëri në të ardhmen.
Çfarë diskutuan Trump dhe Putin rreth garancive?
Steve Witkoff, i dërguari special i Donald Trump, i cili ishte në Alaska të premten, gjatë takimit të presidentit amerikan me homologun e tij rus, u tha mediave amerikane të dielën se Rusia kishte rënë dakord t’i lejonte SHBA-së dhe Evropës t’i ofronin Ukrainës garanci “të forta” sigurie, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë forme do të marrin këto garanci.
Witkoff, rreth 24 orë para takimit të sotëm të ukrainasve dhe evropianëve me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, në CNN deklaroi se në samitin e Alaskës u ra dakord që SHBA-të dhe Evropa do të siguronin “një formulim të ngjashëm me ‘Nenin 5’ të NATO-s për të përmbushur nevojat për garanci sigurie” të Ukrainës.
Edhe pse negociatori i presidentit amerikan i krahasoi garancitë me parimin “të gjithë për një” të “Nenit 5” të NATO-s, Trump ende nuk e ka bërë të qartë fushëveprimin e garancive.
Cilat janë rreziqet për Zelenskyn?
Pas samitit të Alaskës, Trump dukej se po lëvizte drejt pozicionit të Vladimir Putinit, duke kërkuar të negocionte çështjet territoriale përpara se Moska të angazhohej për një ndërprerje të armiqësive, diçka që evropianët po përpiqen me dëshpërim ta shmangin.
Presidenti rus dëshiron të marrë kontrollin e të gjithë rajonit të Donbasit në lindje, të cilin Zelensky ka thënë vazhdimisht se nuk do ta lëshojë.
Udhëheqësi ukrainas do të detyrohet të ecë sot në një litar të tendosur, duke u përpjekur të mbajë sa më shumë territor të jetë e mundur, pa shkaktuar zemërimin e presidentit amerikan dhe qortime të ngjashme me ato të shkurtit, gjatë takimit të tyre të mëparshëm në Zyrën Ovale.
Megjithatë, të paktën një nga “kartat” e negociatave është ndoshta në favorin e tij këtë herë. Administrata Trump tani duket e gatshme të mbështesë kërkesën e evropianëve për garanci sigurie dhe pengim të çdo agresioni rus.
Sidoqoftë, udhëheqësit e NATO-s pritet të kërkojnë garanci të forta për të ruajtur armëpushimin. Zelensky pritet të jetë nën presion të konsiderueshëm nga Trump, i cili po kërkon të arrijë marrëveshjen e shumëpritur të paqes sa më shpejt të jetë e mundur.








