Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ky i fundit i ka caktuar vetes pensionin më të lartë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.
Sipas Berishës, Rama ka përcaktuar për veten një pension prej 4 milionë lekësh në muaj, që do të thotë rreth 48 milionë lekë në vit, në një kohë kur vendi ishte i përfshirë nga zjarret.
“Edi Rama caktoi për veten e tij një pension 30 herë më të madh se mesatarja e pensioneve në Shqipëri. Pensioni mesatar vjetor sipas INSTAT është vetëm 1.6 milionë lekë,” tha Berisha, duke shtuar se një vendim i tillë është i paprecedent dhe i denjë vetëm për “diktatorë të rrallë”.
Ai theksoi se edhe presidentit i është caktuar një pension më i ulët, prej 3.5 milionë lekësh në muaj, ndërkohë që për Ramën ky ka qenë “preokupimi i verës”, në vend që të merrej me problemet e qytetarëve.
“Ky është mashtrimi më i shëmtuar publik dhe një dëshmi e arrogancës së tij. E garantoj se kurrë nuk do ta gëzojë këtë pension,” u shpreh Berisha.