Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzoi Endrit Braimllarin në rastin e hetimeve të Ilir Metës. Ai tha se Braimllari “u fut me teserën e Partisë së Lirisë dhe doli me teserën e PS, madje u bë dhe kandidat për deputet”.
“Alibia e dëshmitarëve të paqëndrueshëm kundër Ilir Metës nuk provon gjë tjetër, veçse ata janë pengje të SPAK dhe të Edi Ramës. Ironia më e madhe është se vetë Altin Dumani që flet për intimidim, mund të akuzohet sipas këtij pretendimi si intmidues dëshmitarësh, meqë njëri prej tyre i paqëndrueshëm hyri në zyrën e tij me teserën e PL-së dhe doli me teserën e PS, madje edhe kandidat për deputet i Edi Ramës në zgjedhjet parlamentare”, tha Blushi.
Më tej ai theksoi se “nuk ka asnjë dëshmitar që të jetë i PL, që e fajëson Ilir Metën apo që e bën atë përgjegjës në raport me ligjin. Të gjitha janë manipulime për të zbatuar një porosi politike të Edi Ramës që e donte Ilir Metën të izoluar në ekstrem, duke keqpërdorur SPAK si vegël për ti mohuar atij të drejtën e ushtrimit të lartë politik, si një prej dy liderëve të lartë të opozitës”, tha Blushi.