Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër qeverinë për lidhje me trafikantët e drogës dhe përfshirjen e strukturave të qeverisë në kontrollin e Portit të Durrësit dhe atij të Peshkatarëve, duke i lidhur këto aktivitete me trafik ndërkombëtar droge. Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se ka paralajmëruar vazhdimisht për kontrollin e Portit të Durrësit nga “karteli Troplini”, që është i lidhur ngushtë me trafikun e narkotikëve.
Ai përmendi një dosje të Antimafies italiane, e cila ka dokumentuar lidhjet e Dorian Lucës me 310 kilogramë drogë të ndryshme, duke e lidhur drejtpërdrejt atë me Portin e Durrësit dhe shpërndarjen e drogës në Europë.
Berisha theksoi se porti i Peshkatarëve, i financuar nga Banka Islamike me një shumë prej 12-13 milionë euro, është përfituar nga Gjergji Beu dhe Dorian Luca, të cilët, sipas tij, janë lidhur me Edi Ramën në një skemë të trafikut të drogës.
“Dorian Beu dhe Gjergji Beu janë aksionerët e portit të Peshkatarëve dhe kanë marrë në dorë portin që ishte ndërtuar me borxhe publike. Edi Rama, si padrino i këtij vendi, e lejoi këtë që të ndodhte,” – tha Berisha.
Në fund, ai e quajti qeverinë si pjesë të një skeme të gjerë të korrupsionit dhe trafikut të drogës, duke theksuar se këta individë përdorin portet e Shqipërisë për të pastruar paratë dhe për të shpërndarë lëndë narkotike në Europë.
/5pyetjet.al