-sidi education-spot_img
28.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Sfida herkuliane e ndërmjetësimit paqebërës!

Kryesoret

Veçanërisht me përshkallëzimin e agresionit rus kundër Ukrainës dhe krizës shpërthyese në Lindjen e Mesme, ndërmjetësimi paqebërës është bërë vërtet kërkesë ulëritëse dhe sfidë herkuliane. Ai është funksion specifik dhe jetik i diplomacisë shumëpalëshe në raste krizash dhe konfliktesh të dhunshme; kjo falë efektivitetit më të madh të diplomacisë shumëpalëshe, organizmave ndërkombëtarë dhe aktivizimit të figurave politike të njohura në botë.

Këta të fundit janë kryesisht ish-presidentë, ish-kryeministra dhe ministra të Jashtëm të suksesshëm në vendet e tyre, të shquar për integritet dhe personalitet të veçantë, natyrën paqësore dhe mirëkuptuese, pa incidente dhe konflikte interesi me të tjerë. Këtu u shqua ambasadori i famshëm amerikan, i ndjeri Richard Holbrooke me ndërmjetësimin për Marrëveshjen e Paqes në Dayton më 1995 dhe të Rambujesë më 1999. Ndërsa ish-Kancelari i Austrisë, Franz Vranitzky ishte i Dërguari i Posaçëm i OSBE-së për krizën e vitit 1997 në Shqipëri. Përktheva për atë personalitet të rrallë politik gjatë muajve mars-tetor 1997 në dhjetëra takime kur isha Ndihmës për Median i Kryeministrit të ndjerë, Bashkim Fino.

Ndërmjetësues dhe negociator tjetër i shquar ishte ish-Presidenti i ndjerë finlandez, Martti Ahtisaari, i Dërguar i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën gjatë periudhës 2004-2008, i cili hartoi dhe “Pakon” me emrin e tij. Më ka rënë rasti gjatë viteve 2005-2007 të isha i pranishëm në takimet me të, të ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj në selinë e OKB-së në Nju Jork. Shihej qartë se të gjithë mahniteshin nga ky burrë shteti dhe kryenegociator paqeje me qetësinë, maturinë dhe vendosmërinë e tij. Mjaft e njohur në këtë fushë është e ashtuquajtura “shuttle diplomacy” ose “diplomacia e ecejakeve”. Atë e zhvillojnë të Dërguar Specialë që shërbejnë si ndërmjetësues ndërmjet dy palëve në një mosmarrëveshje, të cilët në periudha të caktuara kohe shkojnë e vijnë shpesh në qendra krizash dhe konfliktesh për të gjetur zgjidhjet e duhura. Themeluesi i saj është ish-Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, gjeniu i diplomacisë moderne, Dr. Henry Kisinger. Duke i rënë botës “kryq e tërthor” në fillim të viteve ‘70 dhe më vonë, ai përgatiti hapin dhe hopin e madh të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën, me vizitën historike të ish-Presidentit Richard Nikson në Pekin më 21–28 shkurt 1972.

I shquar për “diplomacinë e ecekejakeve” është dhe ishPërfaqësuesi i Lartë për 10 vite rresht i Politikës së Jashtme të BE-së, Javier Solana, me demarshe të panumërta për zgjidhjen e krizave të ndryshme politike dhe të armatosura. Solana është angazhuar për një kohë të gjatë, intensivisht dhe personalisht edhe në krizat në Ballkan, çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës etj.. Gjatë shërbimit diplomatik në Bruksel kam qenë disa herë i pranishëm në takime të tij me drejtues të qeverisë dhe diplomacisë sonë në Bruksel në vitet 1997–2001 dhe më vonë. Solana u drejtohej miqësisht me emrin e parë, fliste troç dhe përherë me nota pozitive. Këtu është momenti të theksohet dhe të kuptohet, sidomos nga publiku, shtypi dhe media se në rastin e krizave dhe konflikteve të ndërlikuara ushtarake, sado të aftë të jenë ndërmjetësuesit, nuk mund të ketë zgjidhje, ca më pak të përkryera, sepse në lojë janë shumë palë me interesa të ndryshme.

Kështu, është e lehtë të kritikosh Marrëveshjen e Dayton-it; mirëpo në kushtet e atëhershme, madje dhe të sotme, ajo ishte zgjidhja më e mirë e mundshme. Ky ndërmjetësim është edhe bërë edhe më i vështirë, për të mos thënë i pamundur, në rastin e ndërmjetësimit në dy konfliktet e tanishme në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Mes shumë vendeve që janë ofruar, përfshirë Gjenevën asnjanëse, ku ndodhet edhe selia e OKB-së për Europën, ndërmjetësuesja më efektive, aq sa mund të jetë në një konflikt të tillë, ka qenë dhe mbetet Turqia. Kjo falë fuqisë së saj politike dhe ushtarake, vendndodhjes strategjike, diplomacisë me emër, rolit dhe përvojës 20- vjeçare të Presidentit Erdogan, marrëdhëniet dhe interesat realpolitike turke me Kievin dhe Moskën, etj.. Gjithsesi, pengesa më e madhe për Turqinë dhe çdo vend tjetër, përfshi dhe vetë SHBA-të në këtë ndërmjetësim sfidues është mungesa e hapësirës për manovrim dhe fantazi krijuese diplomatike.

Kjo kryesisht për faktin se Moska kërkon detyrimisht një Ukrainë jo në NATO, jo me ushtri, jo me territoret e aneksuara më 2014 dhe 2022 nga Rusia dhe me “Jo” të tjera të papranueshme nga e drejta ndërkombëtare. Për pasojë, pa tërheqjen e Rusisë nga këto pretendime ç’ka nuk ka gjasa të ndodhë, edhe ndërmjetësuesit më të zotë do ta kenë të pamundur të gjejnë rrugëdaljet dhe kompromiset e nevojshme. Edhe ndërmjetësimi midis Izraelit dhe Iranit dhe në përgjithësi i krizës në Lindjen e Mesme, pavarësisht nga pozita shumë më e favorshme e SHBA-ve, mbetet sërish tejet i vështirë dhe jo premtues. Se bëhet fjalë për një konflikt gati 80-vjeçar dhe me plagë të thella, që kulmoi me luftën 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit në muajin qershor. Ndërkohë, edhe “katalogu” konfliktual në Lindjen e Mesme është shumë i gjerë, duke u shtrirë nga pasurimi i uraniumit, prodhimi i bombës atomike, regjimi satanik i Mullahëve në Iran, ushtria e tij rezervë e Hisbullahut dhe huthëve, edhe pse të dobësuar ndjeshëm, Gaza me probleme serioze shpërthyese, deri te njohja e Palestinës sipas konceptit të zgjidhjes me dy shtete. Për pasojë, ndërmjetësimi aty do jetë kompleks, me propozime, lëshime, dhe kompromise me kosto dhe të dhimbshme. Gjithsesi, për një fillim të mbarë, kërkohet gjetja dhe caktimi i ndërmjetësuesve kompetentë, me përvojë dhe besueshmëri absolute në këtë fushë të minuar dhe jo të Dërguar thjesht pse janë ortakë biznesi por amatorë në diplomaci.

Gjithashtu, këta të dërguar duhet të ndërmjetësojnë vetëm një krizë/konflikt dhe të përforcohen me diplomatë të specializuar në fushën përkatëse. Ja pse është e pakuptueshme që SHBAtë kanë të njëjtin të Dërguar për Paqen në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme dhe të pashoqëruar nga emra tingëllues në diplomaci. Nga ana tjetër, ndërmjetësuesit duhet të bëjnë ecejake të shumta në vatrat e krizave, “të matin pulsin” dhe të dalin me propozime dhe alternativa e jo të jenë thjesht korrierë/postierë diplomatikë të shefave të tyre! Në përfundim, të njëjtat sfida dhe vështirësi po ndesh ndërmjetësimi ndërkombëtar dhe në dialogun Kosovë-Serbi që faktikisht është “i vdekur, por i pakallur”!

Ndonëse ndërmjetësuesit kanë qenë të shumtë në numër, ata më tepër kanë vërtetuar aforizmin tonë se, “shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk”! Pavarësisht nga ndërmjetësimi gati 15-vjeçar europian dhe amerikan, aty hendeqet janë thelluar dhe më tej për faj të Beogradit. Ndaj, as ndërmjetësuesit më të zotë në botë nuk kanë shans për sukses nëse Serbia nuk pranon krimet ndaj Kosovës, nuk e njeh atë si shtet të pavarur dhe nuk pengon anëtarësimin e saj në OKB, KiE dhe gjetkë. Pa këto “lëshime” serbe, çdo gjë që mund të bëjë Kosova dhe të dërguarit e huaj do të jetë pa dobi. Kjo, mbasi rezultatet e dëshiruara dhe të këtij dialogu mund t’i sjellë vetëm një strategji e re cilësore ndërmjetësimi, me qëndrime të drejta dhe dinamike dhe jo thjesht me emra dhe kopertura të reja.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit