-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kredia për shtëpi në Shqipëri sfidon kufizimet e Bankës së Shqipërisë, rritje prej 12.5% në korrik

Kryesoret

Në muajin korrik të këtij viti, hynë në fuqi masat e vendosura nga Banka e Shqipërisë, për aplikimin e disa kritereve të detyrueshme të riskut në huadhënien për blerje të banesave nga individët.

Të dhënat e para të Bankës së Shqipërisë tregojnë se hyrja në fuqi e kufizimeve rregullatore nuk duket të ketë sjellë një efekt dramatik në frenimin e kredisë për shtëpi. Gjatë muajit korrik, sektori bankar dha rreth 4.65 miliardë lekë kredi të reja për shtëpi. Huadhënia u rrit me 12.5% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Vlera e kredisë pësoi megjithatë një rënie të ndjeshme krahasuar me vlerën rekord prej 7.4 miliardë lekësh të muajit qershor; megjithatë, shifrat shumë të mëdha të huadhënies në qershor reflektuan kryesisht nxitimin për të kryer sa më shumë disbursime para hyrjes në fuqi të rregullave të reja.

Duke filluar nga 1 korriku, bankat do të jenë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).

Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të huamarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve eventuale të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme ose në kuadrin makroekonomik të vendit.

Në fakt, kritere të ngjashme janë aplikuar gjithmonë nga bankat në politikat e tyre të brendshme, por megjithatë në vitet e fundit është vërejtur një rritje e rasteve kur bankat kanë ofruar kredi në tejkalim të kufijve të mësipërm.

Deri tani, kredia për shtëpi gjatë 2025 po shënon vlerat më të larta historike. Në shtatë muaj, bankat kanë dhënë gjithsej pothuajse 41 miliardë lekë kredi, në rritje me 29% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Portofoli aktiv total në fund të korrikut arriti vlerën e 232 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky portofol është zgjeruar me 17%. Kredia për individët, duke përfshirë edhe segmentin më të madh të saj, kredinë për shtëpi, po jep kontributin kryesor në rritjen e kredisë për ekonominë gjatë këtij viti./Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit