Një gjykatë apeli në Shtetet e Bashkuara ka vendosur se pjesa më e madhe e tarifave tregtare të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump janë të paligjshme. Ky vendim i hap rrugën një përballjeje ligjore që mund të tronditë seriozisht axhendën e tij të politikës së jashtme.
Vendimi prek tarifat “reciproke” që Trump vendosi ndaj shumicës së vendeve në mbarë botën, si dhe tarifa të veçanta ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë. Me shtatë vota pro dhe katër kundër, Gjykata Federale e Apelit për Qarkun Federal hodhi poshtë argumentin e Trump se tarifat ishin të ligjshme nën Aktin për Fuqi Ekonomike të Emergjencës Ndërkombëtare (IEEPA), duke i cilësuar ato si “të pavlefshme dhe në kundërshtim me ligjin”.
Vendimi do të hyjë në fuqi më 14 tetor, duke i dhënë kohë administratës të kërkojë shqyrtimin e çështjes në Gjykatën e Lartë të SHBA. Trump reagoi ashpër në rrjetin e tij Truth Social.
“Nëse ky vendim lejohet të qëndrojë, do të shkatërrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot një Gjykatë Apeli thellësisht partizane tha gabimisht se tarifat tona duhet të hiqen, por ata e dinë që SHBA do të fitojë në fund” tha ai.