Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka denoncuar me forcë disa skema mashtruese me kriptomonedha që po zhvasin qytetarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Sipas tij, platformat me emra si XUEX dhe TXEX funksionojnë si skema klasike piramidale dhe jo si platforma tregtare legjitime.
Braçe ka publikuar mesazhe nga grupet në aplikacionin Telegram, ku mashtruesit, të udhëhequr nga një person që njihet si “Leo Smith”, kanë bllokuar tërheqjen e parave për qindra përdorues. Ai thekson se qytetarë nga Divjaka, Lezha dhe madje edhe shqiptarë jashtë vendit, kanë humbur shuma të konsiderueshme, duke rënë pre e premtimeve të rreme për fitime të shpejta.
Deputeti paralajmëron se kemi të bëjmë me një krim të mirëfilltë mashtrimi dhe grabitjeje, ndërsa apelon për ndërhyrje të shpejtë nga autoritetet për të ndalur këto skema që synojnë sidomos qytetet më të vogla dhe shtresat më të ndjeshme të popullsisë.
Braçe kujton se pas traumës së skemave piramidale të viteve ’90, është e papranueshme që shqiptarët të bien sërish pre e mashtrimeve të tilla.