Në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po zhvillohet gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të nisë faza e mbrojtjes me prezantimin e provave dhe dëshmitarëve. Një nga dëshmitarët kyç të mbrojtjes, i identifikuar si 1DW-003, ka shkaktuar reagim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë kërkuar kufizime specifike gjatë dëshmisë së tij.
Sipas dokumenteve zyrtare të gjykatës, SHBA kërkon që ekzaminimi i dëshmitarit të kufizohet në tema të caktuara, ndërsa kundër-ekzaminimi të përqendrohet vetëm në ato tema dhe në vlerësimin e besueshmërisë së dëshmitarit.
Gjithashtu, dëshmitarit do t’i lejohet të refuzojë përgjigje për çështje që lidhen me konfidencialitetin.
Për më tepër, kërkohet që përfaqësues të qeverisë amerikane të jenë të pranishëm gjatë dhënies së dëshmisë për të mbikëqyrur respektimin e këtyre kushteve.
Mbrojtja e Thaçit ka marrë tashmë miratimin për përdorimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, i cili do të mbetet anonim për publikun. Dorëzimi zyrtar i kërkesës për kufizime pritet të bëhet së shpejti.