Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, deklaroi se Franca nuk ndodhet në kushte që do të kërkonin ndërhyrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), megjithatë rënia e mundshme e një qeverie në eurozonë përbën shqetësim.
Në një intervistë për Radio Classique, Lagarde theksoi se disiplina fiskale është thelbësore dhe se po ndjek nga afër zhvillimet në tregjet financiare franceze, veçanërisht në lidhje me diferencat e obligacioneve.
Franca përballet me pasiguri politike, pasi më 8 shtator pritet një votë mosbesimi ndaj qeverisë së pakicës, pas shpalljes së planeve të reja për shkurtime buxhetore nga kryeministri François Bayrou. Nëse votëbesimi dështon, pritet dorëheqja e tij, çka ka sjellë luhatje në tregjet e aksioneve dhe obligacioneve.
Lagarde u shpreh se ndërhyrja e FMN-së ndodh në rrethana ekstreme financiare, të cilat, sipas saj, aktualisht nuk janë të pranishme në Francë.