Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është drejtuar sërish SPAK-ut me një shkresë zyrtare, ku kërkon informacion mbi ecurinë e hetimit për parkun fotovoltaik në digën e Zadejës një çështje për të cilën ai akuzon zv/kryeministren Belinda Balluku për abuzim me fondet publike.
Bardhi thotë se janë vjedhur rreth 5 milionë euro përmes kostove të fryra fiktivisht dhe se të dhënat e krahasuara me projekte të ngjashme tregojnë qartë skemën e abuzimit.
Sipas tij, çmimi për MWp në këtë kontratë ishte gati tre herë më i lartë se ai që i njëjti subjekt ka ofruar në sektorin privat.
“Nëse ky projekt do të ishte realizuar me çmimet që vetë kompania ka përdorur në sektorin privat, buxheti do të kursehej me miliona euro.
Për të mos folur pastaj që edhe vetë SPAK ka ndërtuar një impiant për veten me kosto shumë më të ulët për njësi”, shkruan Bardhi.
Ai thekson se e ka vënë në dijeni SPAK-un për këto të dhëna shtesë dhe kërkon të informohet për hapat konkretë që janë ndërmarrë në hetim, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë që kjo çështje të harrohet apo zvarritet.









