Dhjetëra mijëra qytetarë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, morën pjesë më 1 shtator në një marshim përkujtimor gjatë një proteste kundër qeverisë, të thirrur nga nxënësit e shkollave të mesme, në kuadër të një bllokade në ditën e parë të vitit shkollor.
Tubimi përfundoi në Sheshin e Republikës, në qendër të Beogradit, me vendosjen e kurorave dhe trëndafilave të bardhë për 16 viktimat e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. U mbajt gjithashtu një heshtje 16-minutëshe në nderim të viktimave.
Arsyeja e kësaj proteste, e cila u mbajt në disa qytete të Serbisë, ishte fakti se kanë kaluar dhjetë muaj nga shembja e strehës, një incident që çoi në protesta masive në Serbi dhe bllokada të institucioneve të arsimit të lartë.
U bë thirrje për zgjedhje të parakoshme, për hetime transparente ndaj përgjegjësve për incidentin, si dhe për institucione e media të lira.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me disa nga pjesëmarrësit e protestës.
Milica nga Gjimnazi Filologjik tha se mori pjesë në protestë sepse prindërit e saj kanë luftuar për të njëjtin qëllim prej 30 vitesh, dhe se ajo po e merr këtë betejë përsipër.
“Dua ta vazhdoj shkollimin këtu dhe të ndihmoj ta rregulloj Serbinë”, u shpreh ajo.
Sanja Tasiq i tha REL-it se ajo ishte në protestë “për të njëjtën arsye si edhe të tjerët”.
“Le të kërkojmë ndryshime që ende nuk kanë ndodhur. Ne kërkojmë sundimin e ligjit, barazi për të gjithë, një shoqëri të drejtë”, tha ajo.
Dejani deklaroi se “herë pas here duhet të dalim, të mblidhemi, të tregojmë që asgjë nuk është zgjidhur”. “Ajo që është nisur duhet të përfundohet”, u shpreh ai.