Kryeministri Edi Rama njoftoi se shumë shpejt do të nisë reforma e re në ujësjellës. Plani nis nga heqja e depozitave nga pallatet. Gjatë prezantimit të Operatorit Kombëtar për Prodhimin e Ujit, kreu i qeverisë theksoi se ato mund të bëhen burim katastrofash. Por Sali Berisha tha se kjo po bëhet që Edi Rama të ketë në dorë gjithçka për të vjedhur.
“Shqipërisë, Maldiveve të Europës u doli kallaji. Rama pasi shpenzoi 400 milionë për plehun u katandis si gjel mbi pleh duke paraqitur një alternativë krejt tjetër pa djegës dhe incenerator. Tani doli agjencia kombëtare e Ujit. Këshilli kombëtar i ujit përcakton reformën por është ent rregullator, si ERE për energjinë.
Edi Rama pasi e shkriu këshillin dhe emëroi veten kryetar tani mesa duket do të shkrijë, do ta marrë me një agjenci që ato para të ujësjellësave t’i vjedhin vetë dhe të mos i vjedhin kryetarët e bashkive. Kush ia mbushi Ramës ujësjëllësat me të paaftë dhe militantë, opozita? Shteti po copëtohet, por reduktohet në një person” tha ai.