Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm vdekjeprurës ndaj një anijeje të dyshuar si transportuese droge në Karaibet jugore. Lajmin e bëri të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili sqaroi se mjeti lundrues vinte nga Venezuela dhe operohej nga një organizatë e shpallur si “narko-terroriste”.
“Siç sapo njoftoi presidenti, ushtria amerikane kreu një sulm ndaj një anijeje me drogë që kishte lëvizur nga Venezuela,” shkroi Rubio në rrjetin social X.
Presidenti Donald Trump konfirmoi gjithashtu ndërhyrjen ushtarake, duke deklaruar: “Ushtria jonë sapo ka qëlluar një anije transportuese droge. Këto anije vinin kryesisht nga Venezuela dhe ishin një kërcënim që ka vazhduar prej kohësh.”
Ky sulm shënon një përshkallëzim të politikës së administratës Trump ndaj trafikantëve të drogës, disa prej të cilëve janë cilësuar si organizata terroriste të huaja. Lëvizja pritet të ndikojë ndjeshëm në marrëdhëniet SHBA–Venezuelë dhe mund të sjellë reagime të ashpra nga regjimi i Nicolás Maduro.








