Kryeministri Edi Rama u shpreh se samiti i NATO-s që do të zhvillohet në vitin 2027 në Shqipëri do të mbrohet me dronë të prodhimit shqiptar.
“Në samitin e NATO-s që është niveli më i lartë i sigurisë në botë do ta mbrojmë territorin e Tiranës me dronët e prodhimit shqiptar.”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se përveç dronëve, Shqipëria do të prodhojë edhe autobusë për fëmijë, makina ushtarake dhe uniforma.
“Ne do prodhojmë makinat tona ushtarake dhe do t’i shesim botës makina ushtarake. Shteti shqiptar, Ministria e Mbrojtjes që dikur hidhte në erë njerëz sepse demontonte municione me fëmijë skllevër në një fabrikë vdekjeje dhe lejonte trafiqe, Ministria e Mbrojtjes do të jetë bashkëpronare e gjithë kësaj industrie dhe shteti shqiptar do fitojë para nga kjo industri. Ne do të prodhojmë të gjitha llojet e uniformave për të gjitha llojet e trupave. Më në fund do t’i prodhojmë pa tendera. Kompani vetëm me shtet-privat. Kompania jonë ka një emër të bukur, quhet Guna”, tha ai në emisionin Opinion.