Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të miratojë një masë të përkohshme që ndalon çdo veprim të mëtejshëm institucional nga Kuvendi i Kosovës, përfshirë formimin e Qeverisë, pas një ankese të paraqitur nga Lista Serbe.
Në vendimin e publikuar, Gjykata urdhëron që nga data 5 shtator deri më 30 shtator 2025, ndalohen të gjitha procedurat që lidhen me punën e deputetëve të rinj, si dhe çdo hap drejt krijimit të ekzekutivit të ri.
Ankesa e Listës Serbe lidhet me mënyrën e ndarjes së votimit për nënkryetarët e Kuvendit, veçanërisht përfaqësuesin nga komuniteti serb, duke ngritur dyshime për shkelje kushtetuese gjatë Seancës Konstituive.
Sipas Gjykatës, pretendimet e parashtruesve përbëjnë çështje me rëndësi kushtetuese që lidhen me formimin e institucioneve paszgjedhore, ndaj ndalimi i veprimeve të mëtejshme është i domosdoshëm për të parandaluar cenimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës.
“Pezullimi është në interes publik dhe synon të shmangë dëme të pariparueshme që mund të vijnë nga vijimi i proceseve në rrethana të paqarta kushtetuese”, thuhet në vendim.
Ky vendim vjen në një kohë kur Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar dërgimin e emrit të mandatarit për krijimin e Qeverisë, pasi kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur institucionin të konstituuar, pavarësisht mungesës së nënkryetarit nga komuniteti serb.








