Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me punonjësit socialë, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Manastirliu theksoi se do të rrisin numrin e oficerëve dhe psikologëve në shkolla.
“Për ne është e rëndësishme që figura e oficerit të sigurisë në shkollë, e psikologut dhe e punonjësit social të fuqizohet edhe më shumë. Ne jemi duke punuar që, në kuadër të Planit të Veprimit për Sigurinë në shkolla dhe për përforcimin e mekanizmave parandalues ndaj çdo forme të dhunës dhe bullizmit në shkollë, të kemi mundësi të rrisim numrin e oficerëve të sigurisë dhe të forcojmë mekanizmat ndihmës për këto njësi të rëndësishme që garantojnë mbrojtje dhe siguri për fëmijët tanë brenda dhe jashtë perimetrit të shkollës.” tha ajo.
Manastirliu nënvizoi se përforcimi i pranisë së oficerëve të sigurisë në institucionet arsimore dhe shtrirjen e shërbimit psiko-sociale në sistemin arsimor parauniversitar do të bëhet për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve.