-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Analiza: Franca përballet me krizë ekonomike dhe politike, kryeministri rrezikon votën e besimit

Kryesoret

Franca mund të ketë kryeministrin e saj të pestë brenda më pak se dy vitesh, teksa vendi përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe kërcënimin e trazirave të reja civile, nëse ngërçi parlamentar nuk zgjidhet në ditët në vijim.

Të hënën pasdite, deputetët francezë do të debatojnë mbi një votë mosbesimi ndaj kryeministrit aktual François Bayrou. Nëse, siç pritet, ai e humb këtë votë, pasojat mund të jenë të rënda për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit, madje mund të vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e presidencës së Emmanuel Macron.

Bayrou, një politikan me përvojë 74-vjeçar, i cili mori detyrën në dhjetor, ka propozuar një paketë të ashpër shkurtime buxhetore prej rreth 40 miliardë paundësh, që përfshin edhe heqjen e dy festave kombëtare. Propozimi i tij ka hasur në rezistencë të fortë dhe pakënaqësi të madhe në opinionin publik, megjithëse vetë Bayrou dhe ekonomistët evropianë paralajmërojnë se ekonomia e dytë më e madhe e BE-së rrezikon një krizë borxhi të ngjashme me atë të Greqisë, nëse nuk ndërmerren masa urgjente.

Votën e mosbesimit e thirri vetë Bayrou muajin e kaluar, në përpjekje për të forcuar legjitimitetin e tij dhe për të kaluar reformat e diskutueshme ekonomike. Por në vend që të fitojë mbështetje, ai ka bashkuar kundër vetes spektrin politik, nga e majta socialiste te e djathta ekstreme.

Partia Socialiste pritet të bashkohet me kundërshtaren e saj ideologjike, partinë e ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar, në kundërshtim të hapur ndaj kryeministrit. Deputetja socialiste Céline Thiebault-Martinez deklaroi se buxheti i propozuar “sërish ndëshkon familjet më të prekura, punëtorët dhe klasën e mesme”.

Alternativa e socialistëve parashikon vetëm gjysmën e shkurtimeve që kërkon Bayrou, duke shtrirë në kohë shlyerjen e borxhit publik. Sipas Thiebault-Martinez, “kërcënimet me FMN-në dhe krahasimet me Greqinë janë manipulime për të frikësuar popullin”.

Por statistikat tregojnë të kundërtën. Franca nuk ka pasur një buxhet të balancuar që nga viti 1974. Borxhi publik i saj është aktualisht i treti më i lartë në Europë, pas Greqisë dhe Italisë, dhe kostoja e shërbimit të borxhit i tejkalon shpenzimet për mbrojtjen dhe arsimin së bashku.

Partia Fronti Kombetar i Marine Le Pen, e cila po fiton terren në sondazhet kombëtare, po kërkon zgjedhje të reja parlamentare, duke llogaritur që do të rrisë përfaqësimin në Asamblenë Kombëtare dhe do të fitojë më shumë ndikim politik.

“Që prej tetë vitesh, kur Macron mori pushtetin, receta është po ajo: më shumë rregulla, më shumë taksa, duke penguar ekonominë franceze të ecë përpara”, deklaroi deputeti Gaetan Dussaussaye. Por kur pyeten për një alternativë konkrete për reformat ekonomike, përgjigjja e tyre mbetet e paqartë. “Ne kërkojmë një ndryshim rrënjësor në mënyrën si menaxhohet ekonomia, t’u kthehet pushteti qytetarëve francezë”, tha ai.

Të hënën Franca hyn në një moment kyç që mund të përcaktojë jo vetëm fatin e qeverisë aktuale, por edhe tërësinë e skenës politike dhe ekonomike të vendit./Sky News

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit