Një dron i lëshuar nga Jemeni nga grupi militant Houthi ka goditur të dielën Aeroportin Ndërkombëtar Ramon në jug të Izraelit, pranë qytetit Eilat, duke shkaktuar mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore dhe ndalimin e fluturimeve.
Sipas ushtrisë izraelite, disa dronë u lëshuan nga Houthit, por vetëm njëri arriti të godasë objektivin, duke shkaktuar dëme në sallën e pasagjerëve dhe duke plagosur lehtë një person, sipas shërbimit të urgjencës Magen David Adom.
Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit konfirmoi incidentin, ndërsa bëhet e ditur se hapësira ajrore u mbyll përkohësisht si masë sigurie.
Sulmi vjen vetëm dy javë pas një goditjeje izraelite në Sanaa, ku u vra kryeministri i qeverisë së rebelëve Houthi, Ahmed al-Rahawi, së bashku me anëtarë të kabinetit të tij – duke e bërë atë zyrtarin më të lartë të vrarë nga fushata izraelito-amerikane kundër rebelëve të mbështetur nga Irani.