Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur alarmin për mungesën e sigurisë ushqimore në Shqipëri, duke deklaruar se “siguria ushqimore është zero”.
Ajo i referohet rasteve të përsëritura ku produkte shqiptare janë bllokuar apo kthyer nga vende të BE-së për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve apo substancave të ndaluara.
Xhixho përmendi si shembull të fundit bllokimin e specave në Slloveni, duke e quajtur këtë një tregues të papërgjegjshmërisë institucionale që kërcënon shëndetin e qytetarëve.
Sipas saj, AKU dhe institucionet përgjegjëse kanë dështuar në garantimin e standardeve ushqimore, ndërsa produktet e rrezikshme që ndalohen jashtë, përfundojnë shpesh në tregun vendas. Deputetja renditi një sërë rastesh të ngjashme të ndodhura brenda një viti, përfshirë bllokimin e pjeshkëve, mandarinave, mishit dhe akulloreve për shkak të kontaminimit.









