Në shëtitoren e Sarandës nuk ka si të mos të tërheqin vëmendjen “Roki” një katërputrosh lozonjar dhe shoku i tij (D), një djalë i vogël, pjesë e komunitetit rom, që e ka detin kaq pranë dhe lisharset gjithashtu po nuk i gëzon. Ndryshe nga moshatarët e tij lyp për tu ushqyer sa prej pamundësisë aq dhe prej traditës.
Por siç tregon plot ëmbëlsi duhet të ushqejë dhe “Rokin” (qenin). Madje është i vetëdijshëm kur thotë se shumë pushues i afrohen dhe prej qenushit. I japin para dhe për të. Teksa e pyes kush ha më shumë. Me një artikulim mbresëlënës dhe sinqeritet thotë se vetë ngopet me një salçiçe, ndërsa “Rokit” i jep më shumë. I bleva një pako salçiçe prej merakut se qenushin nuk e ushqente si duhet.
U habita kur “Rokit” i dha 4 salçiçe dhe për vete hëngri vetëm një. Të tjerat tha se do ja jepte një qenushi tjetër, vëllait të “Rokit”, që e mban vëllai i tij, që dhe ai lyp pak më tutje. Të habit zemërgjesia e këtij vogëlushi, mbush jo vetëm barkun e tij, por dhe të “Rokit”. I vogli ka mbaruar klasën e 4 dhe më tha se do ta vazhdojë shkollën, se është gjysëm doktor që tani.
U habita sërish nga këto fjalë. E për të ma vërtetuar më tregoi se si kishte shpëtuar vëllain që rrezikohej të mbytej nga një karrotë. ‘I rashë pak në kurriz, e copa i doli nga hunda”, më tha gjithë modesti 10 vjeçari. Fatmirësisht shpëtoi një jetë! Shanset për tu bërë doktor ka se humanizmin e ka në gen, por në do ketë fat s’ka siguri!
Më sfidoi e mahniti me mënyrën si vepronte. “Roki” ju largua e ndoqi me vrap. U shqetësova se ku po shkonin në errësisë, por për pak u shfaqën të dy. Kishte marrë diku një tas me ujë për “Rokin”. Qenushi i etur e piu të gjithë ujin dhe u shtri për të fjetur…Për këtë akt përkujdesi ndaj katërputroshit, fjalët janë të tepërta…
Veprat e këtij 10 vjeçari flasim më shumë se historitë boshe të botës virtuale të shumë moshatarëve të tij, që ju plotësohen tekat e dëshirat!
Një bravo për (D) dhe dashurinë e tij ndaj “Rokit”!/
Shkruar nga Julja Bardhushi









