Adriatik Lapaj, lideri i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 11 majit, partia e tij do të vazhdojë të jetë një opozitë e fortë ndaj klasës politike aktuale.
Ai theksoi se megjithëse morën mbi 64 mijë vota, sistemi zgjedhor i mohoi atyre përfaqësimin e merituar, duke i lënë jashtë me 6-7 deputetë.
Lapaj njoftoi se Lëvizja do të ketë një mandat në Kuvend, ndërkohë që betejën për reforma dhe ndryshime do ta vijojnë edhe jashtë institucioneve.
“Të dashur qytetarë, të dashur mbështetës të Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, që në zgjedhjet e 11 maj na dhatë mbi 64 mijë vota të vlefshme duke na renditur forcën e tretë politike në këto zgjedhje. Siç dhe e keni dëshmuar, për nga numri i votave, Lëvizja do të duhej t’ju përfaqësonte ju në këtë legjistlaturë, me të paktën 6-7 mandate. Por, sistemi e pamundësoi.
Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’, është një lëvizje që është krijuar mbi konceptin e garës dhe meritokracisë, e ne do të vazhdojmë të luftojmë gjatë këtyre katër viteve për depolitizimin e administratës zgjedhore, për hapjen e listave, për ligjin për referendumet, për demokratizimin e Shqipërisë dhe kundër atyre që kanë ngritur një sistem që e kanë marrë peng vendin tonë.
Thënë kështu, nuk mund të jemi ndryshe, përveçse përballë autorëve të pengmarrjes së Shqipërisë, Edi Ramës dhe Sali Berishës. Në këtë legjislaturë, ne do të përfaqësohemi nga deputetja, zonja Ana Dajko, e cila do të paraqesë në mënyrë periodike, projektligjet e formuluara nga ekipi juridik i Lëvizjes, për të përfaqësuar nevojën për ndryshim të problematikave në fusha të ndryshme të jetës së qytetarëve. Sa më sipër, juridikisht do shihemi në Parlament, politikisht do të shihemi rrugëve të atdheut”.