Artikull iPolitico nga Alice Tylor – përshtatur në shqip
Shqipëria ka hyrë në historinë botërore si vendi i parë që ka një ministre të Inteligjencës Artificiale. Pra, një ministre virtuale e fuqizuar nga teknologjia. Diella, do të ketë në dorë menaxhimin e të gjitha prokurimeve publike.
Kryeministri e prezantoi ministren “unike” sot, 11 shtator, gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në Tiranë, ku njoftoi edhe ndryshimet në kabinet për mandatin e katërt.
“Diella është anëtarja e parë e qeverisë që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale,” tha Rama.
Ai shpjegoi se vendimmarrja për tenderat nuk do të bëhet më nga ministritë, por do të kalojë në dorën e Diellës, e cila do të jetë ‘shërbëtorja e prokurimeve publike’.
Procesi do të jetë gradual, por objektivi është që Shqipëria të bëhet një vend ku tenderat publikë janë “100% të pakorruptueshëm dhe 100% të lexueshëm”.
“Kjo nuk është fantashkencë, por detyra e Diellës,” deklaroi Rama.
Në fakt, qytetarët shqiptarë e kanë takuar tashmë Diellën përmes platformës e-Albania, ku ajo shfaqet me një avatar të një vajze të re të veshur me kostum tradicional shqiptar, duke ndihmuar qytetarët të aksesojnë shërbimet digjitale të shtetit.
Diella, sipas Ramës, do të ketë të drejtën të vlerësojë tenderat dhe madje të “punësojë talente nga e gjithë bota”, duke thyer barrierat e paragjykimeve.
Shqipëria ka kohë që përballet me sfidën e korrupsionit, sidomos në administratën publike dhe fushën e prokurimeve, problem që është theksuar vazhdimisht në raportet vjetore të Bashkimit Europian mbi sundimin e ligjit.
Kryeministri Rama, i cili në maj 2025 mori mandatin e katërt historik, e ka lidhur këtë nismë me synimin që vendi të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030.