Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi me anë të një postimi ka reaguar në lidhje me mandatin që mori dhe betimit të tij në Kuvend.
Blushi shprehet se ky mandat nuk është thjesht një privilegj, por një sakrificë për të mbrojtur me çdo çmim lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe vlerat e përjetshme të familjes dhe kombit shqiptar.
Ai nënvizon se ky është gjithashtu mandati i përfaqësimit të Presidentit Ilir Meta.
Postimi i plotë:
Ky mandat nuk është thjesht një privilegj apo një detyrë.
Është një betim mbi Kushtetutën dhe Flamurin Kombëtar, një përgjegjësi e shenjtë për të përfaqësuar me përulësi dhe dinjitet çdo shqiptar që kërkon që zëri i tij të dëgjohet.
Ky mandat është shërbim, përkushtim dhe sakrificë, për të mbrojtur me çdo çmim Lirinë, Demokracinë, Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përjetshme të familjes dhe kombit shqiptar.
U përket mijëra heronjve të Partisë së Lirisë, nga Tropoja në Sarandë, dhe të gjithë opozitarëve zemërluanë që më 11 Maj votuan me guxim për Ndryshimin.
U përket atyre që çdo ditë luftojnë dhe sakrifikojnë, shpesh në kushte ekstreme, në varfëri e përballë pamundësisë, por që kurrë nuk u dorëzohen padrejtësive, sepse mbajnë gjallë dinjitetin dhe karakterin e pathyeshëm të shqiptarëve.
Ky është gjithashtu mandati i përfaqësimit të Presidentit Ilir Meta, zëri i të cilit, edhe pse i izoluar padrejtësisht në burg politik, do të ushtojë fuqishëm në Kuvendin e ri. Sepse beteja e tij e madhe është rikthimi i Lirisë për të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë.
Me mirënjohje të thellë, falënderoj nga zemra të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë, burra e gra, të rinj e të reja, që me shumë sakrificë dhe besim i dhanë sot Kuvendit katër përfaqësues të vendosur për t’i bërë realitet kauzat tona të mëdha kombëtare.
Ky mandat është i juaji, dhe është betimi ynë solemn për Shqipërinë e Lirë!