Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (GUR) ka njoftuar për agjencinë AFP se është përgjegjës për dy operacione sabotazhi që u zhvilluan këtë fundjavë ndaj linjave hekurudhore në Rusi.
Një sulm u krye në rajonin e Oryolit, ku humbën jetën tre anëtarë të Gardës Kombëtare ruse, ndërsa sulmi tjetër ndodhi në rajonin e Leningradit, ku një tren me 15 vagonë cisternë doli nga shinat.
Autoritetet ruse kanë pohuar se trenat nuk transportonin karburant dhe nuk pati viktima në incidentin e Leningradit megjithatë GUR konfirmoi se treni me cisterna kishte në përmbajtje karburant.
Një nga trenat shkaktoi edhe vdekjen e makinistit në një zonë afër stacionit Semrino.
Qëllimi i këtyre sulmeve, sipas GUR, është ndërprerja e lidhjeve hekurudhore mes qyteteve Oryol dhe Kursk, të cilat janë kyçe për transportimin e trupave dhe furnizimeve të ushtrisë ruse drejt vijës së frontit në Ukrainë.
Që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, sulmet dhe sabotazhet ndaj rrjetit hekurudhor rus janë bërë të shpeshta, duke dëmtuar rëndë logjistikën ushtarake të Moskës.
Rusia shpesh i akuzon forcat ukrainase për këto veprime, ndërsa Ukraina i justifikon si pjesë të strategjisë për dobësimin e kapaciteteve ushtarake të armikut.