Një 55-vjeçar i identifikuar si Kujtim Aliaj, është arrestuar në Portin e Durrësit pasi tentoi të kalonte kufirin me 1000 fishekë armë gjahu dhe rreth 20 mijë euro pa i deklaruar.
Ai u kap në flagrantë nga shërbimet e policisë kufitare dhe akuzohet për “Trafikimin e armëve dhe muniçionit” dhe “Mosdeklarimin e të hollave dhe sendeve me vlerë” në kufi.
Gjatë kontrollit në kamionin e Aliaj autoritetet zbuluan fishekët dhe shumën e parave të fshehura në kabinën e automjetit.
Të gjitha objektet e sekuestruara, përfshirë kamionin, paratë dhe pajisjet personale të të arrestuarit, janë marrë si prova materiale.
Policia ka nisur hetimet për veprimet e mëtejshme dhe materialet e çështjes janë kaluar në prokurorinë e Durrësit.