Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur sot vetveten në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) për çështjen e lidhur me ish-klubin sportiv “Partizani”.
Pas paraqitjes së tij, Berisha ka vazhduar me akuza të forta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe ka denoncuar përfshirjen e këtij të fundit në veprime të paligjshme dhe korrupsion.
Në një deklaratë për mediat, ai ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si Dumani ka abuzuar me pushtetin dhe ka përfituar nga lidhjet me krimin dhe politika.
“Altin Dumani po shkulte leshrat, po qante dhe bërtiste sepse u bënë pluhur përpjekjet e tij puçiste antikushtetuese për të zgjatur mandatin. Ky kriminel kushtetues përdori detyrën, besimin dhe ligjin për të bërë pazare për interesa personale. Ky kriminel kushtetues amnistoi ministra që bënin pazare me kartelet e drogës, Taulantin që zbatonte porositë e Suelit për të arrestuar kundërshtarët e bandës së Suelit. Taulantin, që urdhërohej nga Çela për të liruar terroristët që vendosën nën shalën e biçikletës së Lulzim Kullës tritolin,” deklaroi Berisha pas vizitës së tij në SPAK.
“Merrte dy kostume të bukura nga Altin Hajri dhe kërkonte nga banditët dhe trafikantët 500 mijë euro dhe çantën Louis Vuitton se i duhej për zonjën. Pazare me Edi Ramën sepse e nxori Olsin të panjohur, në një kohë kur Olsi ishte absolutisht në krye të organizatës kriminale të grupit të Xibrakës që drejtohej nga Hakmarrja për Drejtësi.”








