Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar mazhorancën për përpjekje të qëllimshme për të shkrirë Komisionin e Integrimit, duke ia hequr drejtimin opozitës dhe duke e përjashtuar atë nga procesi i integrimit të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, Xhixho theksoi se ky proces duhet të ishte gjithpërfshirës, por sipas saj, mazhoranca po e bën një monopol të qeverisë. Ajo gjithashtu theksoi se përpjekjet për të përjashtuar opozitën dhe për të kapur të gjitha pushtetet është një regres në demokracinë parlamentare.
Deputetja nënvizoi se qeveria ka bërë gjithçka për të bllokuar procesin e integrimit, duke përmendur si shembull shkrirjen e Ministrisë së Integrimit në vitin 2017. Xhixho e cilësoi këtë veprim si një tentativë për të minuar avancimin e vendit në rrugën e tij drejt Bashkimit Europian.
Ajo përmendi gjithashtu se opozita nuk ka qenë kurrë pengesë për procesin e integrimit, por ka mbështetur standardet evropiane dhe harmonizimin e legjislacionit me BE-në. Sipas Xhixhos, Parlamenti është kthyer në një “noter dhe ministri” të Qeverisë, duke minuar rolin e tij si organ të kontrollit dhe balancës.