-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Xhixho: Situatë alarmante në shëndetësi

Kryesoret

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka shprehur shqetësimin për situatën alarmante të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Gjatë një deklarate për mediat, ajo ngriti problemet serioze që po prekin qytetarët, duke përfshirë izolimin e zonës juglindore dhe mungesën e barnave për pacientët me kancer.

Xhixho akuzoi qeverinë për papërgjegjshmëri dhe dështim në menaxhimin e këtyre krizave.

Deklarata e deputetes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho.

1-Urgjenca e pacientëve të zonës juglindore sot është alarm kombëtar. Qindra qytetarë të sëmurë kronikë, pacientë në hemodializë, të sëmurë onkologjikë që presin seanca kimioterapie, si dhe persona me ndërhyrje kirurgjikale të planifikuara apo emergjenca akute, janë lënë realisht pa akses në trajtim për shkak të izolimit të krijuar nga shembja e segmentit të rrugës kombëtare në Dragostunjë të Librazhdit, pjesë e Korridorit 8.

Kjo situatë nuk është një fatkeqësi natyrore . Është pasojë e papërgjegjshmërisë, neglizhencës dhe korrupsionit qeveritar. Çdo vonesë për këta pacientë mund të jetë fatale. Çdo orë pritje është rrezik për jetën.

Në këto kushte, është e domosdoshme që Ministria e Shëndetësisë të sqarojë se cilat janë masat konkrete të marra për të garantuar transport të sigurt dhe të menjëhershëm për këta pacientë? A ka një plan emergjent apo po improvizohet me jetët e njerëzve?
2-Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit për barnat tumorale përbën një akuzë të pakundërshtueshme ndaj kësaj qeverie dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë periudhës 2021–2025, 46% ose 116 barna tumorale, jetike për jetën e qytetarëve, nuk janë importuar kurrë në vend.
Pacientët me kancer detyrohen të trajtohen me barna të skaduara sipas KLSH, kjo nuk përbën thjesht paaftësi por dhe krim shtetëror.

Në Spitalin Onkologjik mungon prej 12 vitesh brakiterapia, trajtim jetik për gratë me kancer gjinekologjik. Premtimi i Ministres së Shëndetësisë, do të jetë funksionale Brenda viti 2026, është një deklaratë skandaloze dhe që tregon shkëputje totale nga realiteti. Kanceri nuk pret kalendarin e propagandës qeveritare, por duhet të jetë në funksion sot për gjithë gratë që vuajnë me kancerin gjinekologjik.

Pacientët me kancer detyrohen të marrin kimioterapi në kushte të papranueshme, pa ngrohje dhe pa kushte minimale dinjitoze. Kjo është pamje e një sistemi që ka humbur prioritetin e tij kryesor: mbrojtjen e jetës.

Situata nuk është më pak dramatike në neurologji: nuk kryhet as trombektomi, as arteriografi, dhe pacientët që kanë nevojë për këto ndërhyrje referohen te sektori privat , duke paguar shuma të konsiderueshme për të njëjtin shërbim që mjekët publikë mund ta kryenin. Kjo përbën jo vetëm një vjedhje të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve, por edhe rrezik të menjëhershëm për jetën e tyre.

3-Ndërkohë, çmimet e ilaçeve janë rritur ndjeshëm, ndërsa ministrja deklaron se nuk i di, sepse “nuk ka qenë e sëmurë”. Kjo nuk është gafë. Kjo është pranim publik i dështimit dhe mungesë e thellë përgjegjësie. Shëndetësia nuk është çështje përvoje personale, por detyrim ndaj çdo qytetari.
Shqipëria shpenzon vetëm rreth 2.9% të PBB-së për shëndetësinë, niveli më i ulët në rajon, ndërsa qytetarët paguajnë rreth 60% të kostove nga xhepi i tyre, një barrë e rëndë dhe e padrejtë. Kjo është politika reale e kësaj qeverie dhe jo shendetsia falas: pak fonde për shëndetësinë, shumë propagandë për sukseset imagjinare.
4-Kriza në sistemin shëndetësor nuk fillon këtu dhe për fatin e keq të shqiptarëve, as nuk ndalet këtu. Ajo është e rrënjosur thellë  brenda vetë sistemit. Le të kujtojmë një tjetër krizë të pak javëve më parë që tregoi qartë dështimin e sistemit.  Në QSUT pati  ndërprerje energjie në reanimacionin qendror dhe në sallat kirurgjikale, një fakt tronditës për çdo vend që pretendon standarde minimale sigurie. Urgjenca ka funksionuar pa defibrilator. Akseleratorët linearë kanë dalë jashtë funksionit për disa ditë, duke lënë pa trajtim pacientët me kancer, për të cilët çdo ditë ka peshë jetike.

Këto nuk janë incidente të veçuara. Janë prova të një kolapsi të sistemit shëndetësor. Mungesë pajisjesh jetike, furnizim problematik me barna, dyshime për barna të skaduara dhe mungesë transparence në menaxhimin e fondeve publike.

Në këto kushte, kam kërkuar të zhvilloj me urgjencë një interpelancë parlamentare me Ministren e Shëndetësisë për të sqaruar përgjegjësitë institucionale, masat emergjente dhe planin konkret për të ndalur këtë degradim që po rrezikon përditë jetë njerëzish. .

Sot nuk kemi të bëjmë thjesht me administrim të dobët. Kemi të bëjmë me një situatë që po dëmton dhe rrezikon jetën e qytetarëve shqiptarë. Dhe për këtë duhet përgjegjësi politike, jo justifikime.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit