Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, James Rubin, ka përfunduar dëshminë e tij treditore. “Dua të them që ishte privilegj për mua të jem këtu, pavarësisht se zgjati pak më shumë, por ishte një përdorim i rëndësishëm i kohës sime”, tha Rubin.
Rubin përsëriti se nuk dinte për lëvizjet e tij, “por besoj se kur kam folur [në telefon] ka qenë në Kosovë. Pra, në kohën e bombardimeve”.
Më pas avokati i Thaçit citoi një intervistë të Hillit të dhënë më 2002, kur ishte pyetur se ku ishte Thaçi.
Hill kishte thënë se atëbotë edhe senatori Dole kishte parashtruar këtë pyetje dhe atij i ishte thënë se Thaçi do të kthehej në Kosovë. Hill kishte shtuar se ky ishte një indikacion se “Thaçi s’kishte mandat”.
Rubin u pajtua. “Absolutisht pajtohen. Thaçi nuk ka qenë asnjë lloj komandanti kryesor”, tha ai.
Gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Rubin rikujtoi edhe njëherë ditët e marrëveshjes së Rambujesë, komunikimet me Thaçin, teksa sqaroi edhe njëherë fjalën “tradhtar” që ai e përdori në fillim të dëshmisë.
Ai kishte deklaruar se kështu do të quanin Hashim Thaçin nëse ai do të pranonte marrëveshjen pa u përmendur pavarësia e Kosovës.
Rubin tha se ky moment që ishte përshkruar të një artikull të tij, ishte përkthyer më pas në shqip e më pas ishte bërë pjesë e një libri dhe mund të kenë ndryshuar fjalët.
Sipas tij ky epitet se Thaçi do të quhej tradhtar mund të ketë qenë më shumë përceptim i tij sesa vet deklaratë e Thaçit.
“Nuk imagjinoj që ta ketë quajtur veten tradhtar, por unë po përpiqesha të bëja një përmbledhje të asaj çështje. Fjala që kam zgjedhur bazohej në vlerësimin që kam bërë. Megjitahtë e di se ai ishte në një presion të madh”, tha Rubin.









