Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mori pjesë sot në Konferencën e 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut të mbajtur në Shqipëri. Vengu u shpreh se Karta e Adriatikut ka lindur nga një vizion bashkëpunimi, stabiliteti dhe fati i përbashkët euro-atlantik.
“Karta nuk është thjesht një iniciativë tjetër rajonale, pasi kemi shumë, por është një nxitës i bashkëpunimit praktik dhe qëndrueshmërisë kolektive”, tha ai.
Vengu theksoi se Shqipëria po ecën me vendosëmëri duke rritur shpenzimet e mbrojtjes.
“Qëllimi ynë është ta pozicionojmë Shqipërinë si një qendër të besueshme për industrinë e mbrojtjes, zinxhirët e furnizimit, lidhshmërinë dhe ndërveprimin ushtarak, lëvizshmërinë ushtarake në të gjithë Evropën Juglindore dhe rajonin e Adriatikut dhe në hapësirën me rëndësi të pamohueshme strategjike për sigurinë atlantike”, tha ai.